VIDEO: Shkupi ruan rendin komunal me rojtarë të uniformuar

Kujdes ku i hidhni mbeturinat në rrugë. Nëse deri tani nuk e keni respektuar ligjin për hedhjen e mbeturinave, tani e tutje për të ruajtur pastërtinë në rrugët e Shkupit do të kujdesen 44 rojtarët e uniformuar të rendit komunal të cilët do të patrullojnë dhe do të vënë gjoba nëse dikush mendon të shkelë Ligjin për higjienë publike. 

Për mos respektim të rendit komunal qytetarët edhe më tej do të vazhdojnë të  gjobiten me 50 euro ose në këmbim të pagesës në të holla, mund të dënohen edhe me punë komunale për nevojat e qytetit. 

Ruajtësit e pastërtisë së qytetit të Shkupit do të kenë uniforma me këmisha me ngjyrë të kaltër dhe pantallona e kapele me ngjyrë të kaltër të errët, me shenjën "rojtar i rendit komunal" në krah. Sipas kryetarit të Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, uniformimi do ta ul numrin e shkeljeve pasi që njerëzit do ta dinë se janë nën mbikëqyrje.

"Uniformat do të kontribuojnë për t'i njohur rojtarët e rendit komunal në qytetin e Shkupit dhe, para së gjithash, mendojmë se do të veprojnë në mënyrë parandaluese për higjienën në kryeqytet. Qëllimi ynë nuk është që t'i rrisim gjobat, nuk është që të gjobojmë më shumë njerëz, por të bëjmë me dije se ekziston një person që gjobon nëse dikush nuk e respekton rendin komunal në Shkup", theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.

Rregullorja për uniformat është definuar në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ministrja, Gordana Jankulloska theksoi se MPB ndihmoi në zbatimin e Ligjit për higjienë publike për të cilat janë kompetente komunat. 

Sipas statistikave, më shumë gjoba ka pasur për hedhjen e mbeturinave në vende të palejuara. Në këto shkelje bëjnë pjesë hedhja e cigareve dhe mbeturinave të tjera, por edhe shitësit ilegale në trotuare.