e premte, 17 shkurt 2012, 01:05
Digjet flamuri maqedonas në Prishtinë
Tifozët kosovarë, respektivisht ‘Plisat’, e kanë shfrytëzuar finalen e turneut ‘Pavarësia’ mes Kosovës e Maqedonisë, për t’iu hakmerr maqedonasve për fyerjet e rënda që ua kishin bërë shqiptarëve në muajin e kaluar gjatë Kampionatit evropian, të mbajtur në Serbi. Përveç fyerjeve të rënda, ‘Plisat’ edhe e kanë djegur flamurin maqedonas, raporton Gazeta Express.
Pëfaqësuesja U-20 e Kosovës në hendboll e ka fituar turneun ‘Pavarësia’, pasi të enjten mbrëma në finale e ka mposhtur me plot meritë reprezentacionin e Maqedonisë, me rezultat 28:17.
Ky takim është zhvilluar nën hijen e tifozëve kosovarë, respektivisht ‘Plisave’ të Prishtinës, të cilët e shfrytëzuan rastin, duke iu hakmerrur Maqedonisë, për fyerjet e rënda që ua kishin bërë shqiptarëve hendbollistët dhe tifozët e saj në muajin e kaluar gjatë Kampionatit evropian, të mbajtur në Serbi.
Madje, ‘Plisat’ nuk e kanë kursyer as flamurin maqedonas, të cilin e kanë djegur, me ç’rast ndeshja u ndërpre për disa minuta, derisa Policia e Kosovës shtoi masat e sigurisë për ekipin mysafir.
Krahas fyerjeve, tifozët prishtinas i kanë zbuluar edhe disa transparente, të cilat përmbanin mbishkrime fyese në baza etnike për maqedonasit, si: “Babanë sllav, nënën bullgare. Çka je ti?”, “Maqedonia nuk ekziston”, “Zoti u ka bërë bullgarë, Tito maqedonas”, etj.
Njëherësh. ‘Plisat’ këndonin këngë patriotike shqiptare, si: “Besa-Besë”, “O sa mirë me qenë shqiptar”, “Pa u faruar djemë e qika, jo nuk ndahet Mitrovica”, “UÇK”, etj.
Pavarësisht këtyre sjelljeve të tifozëve kosovarë, kryetrajneri i ekipit maqedonas, Stojan Petroshevski ka thënë pas ndeshjes për Express se shumica e publikut kishte ardhur në palestër për të shikuar hendboll cilësor, e jo për ta fyer vendin e tij. /Express/