e hënë, 30 janar 2012, 15:57
Hendboll: Serbia vajton, Danimarka kampion i Evropës
Përfaqësuesja e Danimarkës ka fituar titullin e kampionit të Evropës në hendboll, pasi në finalen e madhe që ishte në program të dielën mundi nikoqirin e këtij evenimenti, Serbinë, midis Beogradit, me rezultatin e ngushtë, 21:19.
Për Danimarkën ky është titulli i dytë i Evropës, pas atij në vitin 2008 në Norvegji.
Mikkel Hansen me 9 gola ishte më i miri në radhët e danezëve, ndërsa me 3 gola kontribuoi Eggert Jensen. Për Serbinë, golashënuesi më i mirë në ndeshjen finale ishte Rajko Prodanoviq me 4 gola.
Danimarka udhëhoqi që nga fillimi i ndeshjes e deri në fund, ndërsa në pjesën e parë të dyja kombëtaret shënuan gjithsej 16 gola, 9 gola danezët, ndërsa 7 gola serbet.
Megjithatë për një rezultat të tillë më shumë kontribuan portierët e të dyja skuadrave të cilët ishin të disponuar për lojë. Portieri danez Niklas Landin bëri 20 pritje, kurse Darko Staniç 15.
Ndërkohë në ndeshjen për medaljen e bronztë, Kroacia mposhti Spanjën me rezultatin 31:27.