e mërkurë, 22 shkurt 2012, 18:48
Shaqiri e Xhaka, sfidojnë Bayernin
Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka me shokë, do ta sfidojnë sonte Bayernin e Munichut, në ndeshjen e parë të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve. Kampioni zviceran është përgatitur në mënyrë të veçantë për përballjen ndaj gjigantit bavarez.
Me metoda të pazakonta të stërvitjes, trajneri i Baselit, Heiko Vogel, ka përgatitur futbollistët e tij për përballjen e sontme.
Nuk bëhet fjalë për maskenball, por për një stërvitje serioze e që përfshin mbylljen e njërit sy në stilin e ‘Piratëve’.
“Kjo është një metodë me të cilën përmirësojmë koordinimin. Ishte interesante, por një stërvitje në këtë mënyrë nuk është aspak e lehtë”, tha për ‘Bild’, Shaqiri, i cili nga sezoni i ri do të bëhet pjesë e bavarezëve.
Megjithatë, në përballjen me ekipin e tij të ardhshëm, talenti me prejardhje nga Gjilani dhe bashkëlojtarët nga ekipi zviceran nuk do të hyjnë në fushë të maskuar si ‘piratë’.
“Jo, jo, kundër Bayernit na duhen të dy sytë. Për më tepër do të na nevojitej ta kemi edhe një të tretë”, ka theksuar Shaqiri.
Edhe pse luajnë në shtëpi, reprezentuesi zviceran favorizon Bayernin.
“Bayerni është favorit, vjen në Basel për fitore. Jam i sigurt se ata do të luajnë ndryshe nga takimi i fundjavës me Freiburgun”, ka përfunduar Shaqiri, për të cilin Bayerni vazhdon të jetë skuadra më e mirë gjermane.
Në takimin tjetër të kësaj faze, të Ligës së Kampionëve do të përballen Olimpique Marseille dhe Inter, i cili po e përjeton një krizë të rezultateve në Serie A.
Liga e Kampionëve
Sonte:
Basel – Bayern M 20:45
Marseille – Inter 20:45