Futboll

e premte, 03 shkurt 2012, 19:33

Futbollistët në Itali kundër ndeshjeve të mbrëmjes

Futbollistët në Itali kundër ndeshjeve të mbrëmjes
I ftohti dhe të reshurat e mëdha të borës që po mbizotërojnë në Itali të Veriut kanë shkaktuar kaos në elitën e futbollit italian Serie A.

Të mërkurën mbrëma janë anuluar tri ndeshje: Bologna - Fiorentina, Siena - Catania dhe Atalanta - Genoa.

Të martën ishte anuluar ndeshja ndërmjet Parmës dhe liderit të Serie A, Juventusit. Për shkak të ftohtit të madh që pritet të mbizotërojë edhe në ditët e ardhshme, ka gjasa të anulohen edhe ndeshje të tjera.

Shoqata e Futbollistëve Profesionistë e Italisë (AIC) ka protestuar kundër trendit që të luhen ndeshjet kampionale në mbrëmje.

"Ndeshjet në mbrëmje në këtë mot rrezikojnë shëndetin e futbollistëve. Fushat janë të rrëshqitshme dhe rreziqet për lëndime janë më të mëdha", të enjten ka thënë një zyrtar i shoqatës.

Ndeshjet e mbrëmjes zhvillohen për të pasur shikueshmëri më të madhe në televizion, por në Itali ato shpesh po zhvillohen para stadiumeve gjysmë të mbushura, pasi që tifozët nuk po rrezikojnë të dalin e të përkrahin skuadrat në të ftohtë.

Presidenti i AIC-it, Damiano Tommasi, ka kërkuar ndryshim të kalendarit.

"Duhet shtuar numri i ndeshjeve kur moti të jetë më i mirë", ka thënë Tommasi.

Njëjtë mendon edhe zyrtari i Federatës së Futbollit të Italisë, Demetrio Albertini.

"Serie A duhet të nisë në gusht. Duhet të zhvillohen më shumë ndeshje në verë", ka thënë ish-ylli i Milanit, Albertini.

Anulimi i ndeshjes mes Parmës dhe Juventusit ishte përcjellë me kritika nga trajneri i Juventusit, Antonio Conte.

"Ndeshja ka mundur të zhvillohet pa problem në orën 15:00", ka thënë Conte.

Ndërkohë pritet që gjithë fundjava në Serie A të zhvillohet në mesditë, në mënyrë që të evitohen anulimet e ndeshjeve.

Ky vendim është marrë pasi që zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka kërkuar nga presidenti i ligës Maurizio Beretta, që ndeshja e së dielës mbrëma me Napolin të shtyhet për një afat tjetër, nëse duhet patjetër të zhvillohet në mbrëmje, shkruan Koha Ditore.



 

RTM © 2010 - Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.

Ndalohet ribotimi i përmbajtjes pa lejen me shkrim të portalit « Mtv ». Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga « Mtv » rrezikon të ballafaqohet me ligjin.