Futboll

e enjte, 02 shkurt 2012, 19:11

Lazio thyen Milanin, Interi ndalet në shtëpi

Lazio thyen Milanin, Interi ndalet në shtëpi
Kryefjala e javës së 21-të të Serisë A ka qënë moti i keq dhe rreshjet e dëborës që kanë bërë të pamundur zhvillimin e takimeve Atalanta–Genoa, Bologna–Fiorentina dhe Siena–Catania.

Por moti i keq nuk ka ndalur Interin që në San Siro në temperatura shume te ftohta nën rreshje dëbore dhe në një fushë gjysmë të bardhë e të ngrirë është përballur me Palermon në një takim që ka dhuruar plot 8 gola. Deri në momentet e fundit heroi për të besuarit e Ranierit ishte Diego Milito që shënoi të katër golat për zikaltërit por Mantovani dhe Micoli 3 herë i dhuruan një pikë të çmuar palermitanëve në San Siro duke vazhduar këtë ecuri pozitive edhe ndaj një kundërshtari si Inter.

Në Olimpico, Lazio e Edy Rejas ka arritur të mposhtë kampionët në fuqi të Milanit me rezultatin e pastër 2 me 0. Ai që hapi serinë e golave ishte braziliani Hernanes një nga më të mirët në fushë i cili u pasua nga goli i kapitenit Rochi që vulosi 3 pikët për kryeqytetasit dhe e ngjiti skuadrën e Lazios në kuotën e 39 pikëve në vendin e katërt. Fitore ka arritur edhe Udinese në shtëpi 2 me 1 ndaj Lecces së Cosmit duke ngushtuar diferencën e pikëve në vetëm 2 me ndjekësen e vendit të dytë Milanin.

Gola dhe spektakël ka dhuruar edhe sfida Cagliari – Roma ku të besuarit e Luis Enriques janë larguar nga Sant Elia me kokën ulur pas 4 golave të pësuar që i bënë të pavlefshëm 2 golat e Juan dhe Borinit. Pa gola është mbyllur përballja e San Paolos ku Napoli nuk ka mundur dot të kalojë me sukses Cesenën e vendit të parafundit. Kjo është tablloja e përgjithshme e javës së 21-të të Serisë A.



 

RTM © 2010 - Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.

Ndalohet ribotimi i përmbajtjes pa lejen me shkrim të portalit « Mtv ». Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga « Mtv » rrezikon të ballafaqohet me ligjin.