e enjte, 02 shkurt 2012, 02:06
Egjipt: 74 të vdekur pas përleshjeve në një ndeshje futbolli
Së paku 74 persona kanë humbur jetën pas përleshjeve mes pas ndeshjes kampionale në Egjipt ndërmjet Al-Masry dhe Al-Ahly, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi.
Tifozët e dy skuadrave janë rivalë historikë dhe thuajse në çdo ndeshje janë problematikë, sidomos grupi ultras i Al-Ahly. Tifozët vendas kanë nisur të godasin me sende të forta mbi tifozët dhe lojtarët kundërshtarë dhe i kanë vënë flakën stadiumit. Forcat e sigurisë ndërhynë për të vendosur qetësinë, por reagimi i tifozëve ishte akoma më i dhunshëm duke vrarë edhe disa prej forcave të sigurisë së stadiumit.
Pjesa më e madhe e viktimave kanë gjetur vdekjen pasi kanë marrë goditje me thikë, shkelur me këmbë nga turma, shumë të tjerë nga goditjet me sende të forta, ndërsa një pjesë mendohet se kanë mbetur të bllokuar në një kend të stadiumit që mori flakë.
Autoritetet thanë se numri i viktimave mund të rritet pasi dhjetra persona të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë të shtruar në spital.
Menjëherë pas incidenteve të regjistruara në këtë takim, federata egjiptiane anuloi të gjitha ndeshjet e tjera të kampionatit, ndërkohë që parlamenti i sapozgjedhur njoftoi mbajtjen e një seance emergjente ku do të diskutohet dhuna në fjalë dhe të gjitha episodet e dhunës nëpër stadiumet egjiptiane, që nuk janë të rralla.
Disa nga futbollistët mysafirë që u sulmuan brutalisht nga ana e tifzëve vendas anë thënë se personat e sigurimit nuk i kishin mbrojtur ata, ndërkohë të tjerë kanë thënë se nuk do të luajnë më futboll pas kësaj dhune që ndodhi në qytetin Port Said.