e premte, 10 gusht 2012, 15:01
LK, hidhet shorti për turin e ndeshjeve “play-off”
BESNIK SHABANI
Sot në mesditë u mbajt shorti për raundin plejof të Ligës së kampionëve, raund nga i cili do të sigurojnë biletën dhjetë ekipet që do të kompletojnë fazën e grupeve.
Me 22 skuadra të kualifikuara automatikisht në fazën e grupeve, në bazë të rregullores, shorti u hodh në dy grupe.
Në njërin grup figuruan skuadrat që një vit më parë fituan titullin kampion në vendet e tyre dhe në grupin tjetër ato jo-kampione. Secili prej grupeve do të kualifikojë në fazën finale pesë skuadra.
Në sy bien edhe përballjet ndërmjet skuadrave ku paraqiten futbollistë shqiptarë. Të tilla janë përballjet Borusia Menhengladbah – Dinamo Kiev dhe Dinamo Zagreb – Maribor. I saposhkuari te Borusia Menhengladbahu, Granit Xhaka, pritet ti jep vetëbesim mesfushës gjermane, ndërkaq në sulmin e Dinamos pritet të jetë Admir Mehmedi, i cili kaloi në skuadrën ukrainase para gjashtë muajve. Mehmedi do të ketë më shumë hapësirë, për faktin që legjenda e kësaj skuadre dhe futbollit ukrainas, Andrij Shevçenko, tanimë është përshëndetur nga loja aktive.
Edhe përballja ndërmjet Dinamo Zagrebit dhe Mariborit do të na dhurojë një duel mes futbollistëve shqiptarë. Bëhet fjalë për pejanin Fatos Beqiraj dhe tetovarin Arijan Ademi që luajnë me Dinamon e Zagrebit dhe tetovarit tjetër që luan me Mariborin, Agim Ibraimi.
Beqiraj edhe vitin e kaluar me Dinamon ishin pjesë e Ligës së kampionëve, kur përfunduan ndeshjet në grupe pa asnjë fitore. Por pasi u konfirmuan sërish kampion të futbollit kroat ata fituan të drejtën të konkurrojnë sërish në elitën e futbollit evropian. Për Beqirajn ky është një rast i mirë që të tregoi përformancë më të lartë, derisa në kampionatin kroat fitoi epitetin e shënuesit më të mirë, derisa edhe në Ligën e Kampionëve tanimë ka shijuar të qenit autor i golit, kur pat shënuar edhe në portën gjigantit evropian, Real Madrid.
Në formë të madhe ndodhet edhe anëtari i përfaqësueses së Maqedonisë, Agim Ibraimi i cili ka qenë ndër autorët e golave për skuadrën e tij gjatë fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve. Pritet që ky duel të sjellë shumë emocione dhe klas në sulmet e të dyja skuadrave.
Pos këtyre skuadrave që kërkojnë kalimin në ndeshjet në grupe, interesat pritet të jetë edhe takimi ndërmjet Spartak Moskës dhe Fenerbahçes së Turqisë. Derisa edhe skuadra italiane, Udinese nuk do ta ketë fare të lehtë kalimin në fazën tjetër pasi do të përballet me skuadrën portugeze të Bragas. Ndeshjet e para do të luhen më 21-22 Gusht, ndërsa ato të kthimit në 28-29 Gusht. Rikujtojmë duke filluar nga ky edicion TVM 2 për tre vite me rradhë do të transmetojë ndeshjet e Ligës së Kampionëve, ndërsa së bashku me ta edhe të Ligës Evropa.
Këto ishin çiftet që shorti i mbajtur në Nion të Zvicrës ofroi:
Grupi i skuadrave kampione:
Basel (Zvicër) - Kluzh (Rumani)
Helsinborg (Suedi) - Celtik Glasgou (Skoci)
BATE Borisov (Bjellorusi) - Hapoel Shamona (Izrael)
AEL Limasol (Qipro)-Anderlekt (Belgjikë)
Dinamo Zagreb (Kroaci)-Maribor (Slloveni)
Grupi i skuadrave jo-kampione:
Braga (Portugali) - Udinese (Itali)
Spartak Moskë (Rusi) - Fenerbahce (Turqi)
Malaga (Spanjë) - Panathinaikos (Greqi)
Borusia M. (Gjermani)-Dinamo Kiev (Ukrainë)
Lil (Francë) - Kopenhagen (Danimarkë)