e premte, 20 janar 2012, 23:21
Armend Alimi vazhdon karrierën në Suedi
Futbollisti kumanovar, Armend Alimi karrierën e tij e ka vazhduar në Suedi te skuadra e Orebros, me të cilën ka nënshkuar një kontratë tre vjeçare. Alimi është përforcimi i parë për skuadrën e cila vitin e kaluar kishte përfunduar në pozitën e 12-të në kampionatin elitar të Suedisë.
Alimi që nga java e kaluar ishte bashkë me skuadrën e Orebros, ndërsa pikërisht angazhimi i tij gjatë stërvitjeve ju kishte lënë përshtypje të fortë trajnerëve të kësaj skuadre, të cilët menjëherë i kishin ofruar kontratën futbollistit 24-vjeçar për të cilin është kjo hera e dytë që do të luaj jashtë vendit, pas aventurës së tij dyvjeçare që kishte në kampionatin kroat, te skuadra e Istra 1961.
“Shumë mirë që arritëm marrëveshje me këtë futbollistë. Është fakt që kemi marrë një përforcim të madh. Armendin ka kohë që e kemi ndjekur. Ai është një mesfushor qendror shumë i fortë që ka tipare sulmuese, teknikë të mirë dhe shpejtësi. Ai përshtatet shumë mirë në pjesën ofensive të lojës tonë”- tha trajneri Lennart Sjögren.
Armend Alimi është blerja e parë, por me siguri jo e fundit te Orebro për këtë sezon, pasi drejtuesit e kësaj skuadre janë duke punuar intensivisht për të sjellë në skuadër edhe disa emra shumë të mëdhenj, me qëllim për të përforcuar mesfushën.
“Unë kam nënshkruar për një klub shumë të mirë nga Suedia. Unë kam qenë këtu një javë, ndërsa falë angazhimit tim në stërvitje, drejtuesit, trajnerët por edhe futbollistët kanë pasur një përshtypje shumë të mirë. Pritja ka qenë shumë e ngrohtë dhe shpresoj që me cilësitë e mia që posedoj ti ndihmojë skuadrës time të re në arritjen e qëllimeve” – deklaroi Alimi.
Alimi debutimin e tij në kampionatin suedez pritet ta ketë më 02 prill kundër skuadrës së Atvidabergut. Këtë ndeshje Orebro do ta zhvillojë në shtëpi, ndërsa duke iu referuar traditës mes këtyre dy skuadrave viteve të fundit, ajo flet në anën e skuadrës së re të Alimit, të cilit i dëshirojmë suksese shumë të mëdha dhe një debutim të ëndërrave.
Armend Alimi:
I lindur: 11 dhjetor 1987 në Kumanovë
Gjatësia: 180 cm
Pozita: Mesfushorë
Karriera e Armend Alimit:
2005—2007 Bashkimi, Maqedoni (46 ndeshje, 9 gola)
2007—2009 Milano, Maqedoni (34 ndeshje, 10 gola)
2009—2011 Istra 1961, Kroaci (60 ndeshje , gola)
Kombëtarja e Maqedonisë: (9 ndeshje, debutimi i tij kundër Norvegjisë në vitin 2009)