e enjte, 02 shkurt 2012, 13:12
Liria vazhdon konkurimin në Super Ligë
MUSTAFA ADEMI
Me disfatën prej 92-72 nga lideri aktual dhe kampioni i dy viteve të fundit Feni Industri, skuadra e Lirisë e ka kryer garimin në kuadër të sezonit të rregullt në ligën e parë basketbollistike.
Ekipi nga Saraji, në mesin e nëntë skuadrave, u pozicionua në vendin e katërt dhe falë këtij plasmani të mirë, tani do të luaj në garat e super ligës, me gjasa mëse reale për të luajtur edhe në Plej Of.
Në raundin e ardhshëm të garave, janë gjetur edhe Feni Industri, MZT-ja, Torusi, Rabotniçki dhe ekipi i Kumanovës.
Skuadrat të cilat pas dhjetë xhirovë të reja do të pozicionohen në katër pozitat e para, do të luajnë në plej of dhe basketbollistët e Lirisë janë me gjasa të mira që të gjenden aty, pasi momentalisht mbajnë pozitën e katërt, me tri pikë më shumë se Rabotnicki në pozitën e pestë dhe Kumanova në pozitën e gjashtë.
Ndryshe, garimi në super ligë do të filloj gjatë kësaj fundjave, me ç`rast Liria ndeshjen e parë do ta luaj si mysafirë, ndaj Torusit. Fitorja eventuale në këtë ndeshje, do ti ngjite ata edhe në pozitën e tretë, menjëherë pas Feni Industrit dhe MZT Skopjes.