e premte, 13 korrik 2012, 14:41
BDI-ja dënon ashpër ofendimet personale nga ana e opozitës shqiptare
Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër ofendimet personale dhe zbritjen e nivelit të komunikimit publik nga ana e opozitës shqiptare dhe u bën thirrje atyre që të veprojnë në përputhje me etikën e komunikimit publik, si dhe të kursejnë opinion shqiptar nga banalitetet dhe gënjeshtrat, tha sot në konferencë për shtyp Artan Grubi, shef i kabinetit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
"Të nxitur nga mashtrimet e paskrupullta të opinionit publik nga ana e partive opozitare shqiptare, si dhe nga fjalori i tyre tejet banal që nuk meriton emitim në mediat serioze, BDI-ja ka thirrur konferencë për shtyp me qëllim të konfirmimit të deklaratave të liderit të shqiptarëve, Ali Ahmeti, si dhe zbardhjen e mashtrimit të opinionit nga ana e Partisë Demokratike Shqiptare", tha Grubi.
Ai shtoi se shqiptarët e Maqedonisë, për 10 vite rresht, besimin e vet ia japin Ali Ahmetit dhe Bashkimit Demokratik për Integrim.
"E vetmja aleancë e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe e Ali Ahmetit janë shqiptarët të cilët e dijnë mirë se ne jemi burra të fjalës dhe të veprave të mëdha, e jo të llafeve të zbrazëta. Realizimi mund të vonojë, por proceset e mëdha dhe të rëndësishme kërkojnë përkushtim, durim dhe besim. Shqiptarët vazhdojnë të kanë besim tek BDI për realizimin e proceve kombëtare. Këto procese, stagnimin e vetëm në dekadën e fundit e kanë shënuar gjatë uzurpimit 16 mujor të institucioneve të vendit nga ana e PDSH-së pa dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve. Veprimet antikombëtare kulminuan me Kasaphanën e PDSH-së më 1 qershor 2008 kur shqiptarët u terrorizuan dhe demokracia u suspendua. Mori shumë kohë dhe përpjekje për të çrrënjosur inferioretin dhe servilitetin e instaluar nga ana e PDSH-së, e cila votoi kandidatin maqedonas vetëm e vetëm të vazhdoj pjesëmarrjen e paligjshme në Qeveri", tha shefi i Kabinetit të liderit të BDI-së.
Shqiptarët, potencoi ai, e dijnë që inferioriteti dhe serviliteti i PDSH-së ka përfunduar dhe nuk do të përsëritet asnjëherë më, sepse atë nuk do ta lejoj BDI-ja.
"Sa i përket gënjeshtrave të prezentuara dje nga ana e PDSH-së, informojmë opinion shqiptar se asnjë e dhënë e tyre nuk është e vërtet, ashtu siç nuk kanë qenë të vërteta asnjë nga premtimet e tyre që nuk u realizuan kurrë. Bashkimi Demokratik për Integrim dhe kryetari Ali Ahmeti thirren në raportet e institucioneve të pavarura kur bëhet fjalë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve. Ashtu siç njohtoi edhe kryetari Ahmeti, sipas Avokatit të Popullit, numri i shqiptarëve në administratën shtetërore është rritur për 8.956 shqiptarë nga viti 2008 deri në vitin 2011, pa llogaritur konkurset e vitit 2012. Sipas këtij raporti, pjesëmarrja e shqiptarëve në institucionet shtetërore është 17.2 për qind", tha Grubi.
Njëkohësisht, sipas tij, pjesëmarrja e maqedonasve në tre vitet e fundit është zvogëluar për 5.14 për qind.
"Sa i përket gënjeshtrave rreth të punësuarve nga Agjencioni për Administratë, sipas informacioneve zyrtare, nga viti 2008 e deri në vitin 2011, ky agjencion ka publikuar gjithsej 5.585 shpallje për vende të reja pune, nga të cilat 2.151 i kanë takuar shqiptarëve nëpërmjet Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit. Ku janë ato 45.000 maqedonas për të cilat trumpetonte dje PDSH-ja", pyet shefi i Kabinetit të Ahmetit.
Ai me këtë rast tha se në dekadën e fundit, shqiptarët tek BDI-ja kanë çmuar punën, sinqeritetin dhe realizimin e premtimeve.
"Rreth institucioneve me zero përfaqësim shqiptar, ndoshta PDSH-ja pret që ndonjë shqiptar të punojë në shkollat e Strumicës apo Vallandovës?! Sa për ilustrim, në komunën Saraj, prej nga vjen prezentuesi i djeshëm i të pavërtetave, në disa institucione komunale, shqiptarët përfaqësojnë 100 për qind të të punësuarve, siç është rasti edhe me shumë institucione tjera në komunat ku maqedonasit janë pakicë osë nuk jetojnë fare. Gjithashtu, në dekadën e fundit, shqiptarët tek PDSH-ja kanë njohur korrupsionin, mashtrimin, përçarjen, dhunën dhe ofendimet, andaj edhe asnjëherë nuk janë rreshtuar pas saj dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmën", tha në konferencë për shtyp, Artan Grubi.