e mërkurë, 22 shkurt 2012, 12:39
Siri: Vriten dy gazetarë, tre mbeten të plagosur
Dy gazetarë të huaj janë vrarë sot në Siri dhe tre të tjerë janë plagosur, pasi një sulmi me predha të forcave qeveritare. Sipas informacioneve ngjarja ka ndodhur në një qendër mediatike të improvizuar në qytetin e rrethuar Homs.
Aktivistët opozitarë i kanë indentifikuar gazetarët e vrarë si Marie Kolvin, amerikane që punonte për gazetën londineze, Sunday Times, dhe fotoreporteri francez, Remi Ochlik.
Sulmet me predha janë pjesë e goditjes së forcave qeveritare të Sirisë, lojale ndaj presidentit Bashar al-Asad, kundër opozitës.
Aktivistët sirianë thonë se më se 100 vetë janë vrarë në ofensivën prej ditës së djeshme.
Qeveria e Sirisë ndalon raportimin e lirë të gazetarëve të jashtëm brenda Sirisë.