e mërkurë, 22 shkurt 2012, 12:35
Australi, dorëhiqet ministri i jashtëm Kevin Rudd
Ministri i Jashtëm i Australisë, Kevin Rudd, ka dhënë dorëheqjen pas raportimeve për mosmarrëveshje mes tij dhe kryeministres së vendit, Julia Gillard.
Lajmin e dha vetë ministri në një konferencë shtypi në Uashington, ku Rudd u takua me sekretaren amerikane të shtetit, Hilari Klinton.
Kohët e fundit tensioni në Partinë Laburiste australiane është rritur shumë për shkak të luftës për lidership. Gillard fitoi në qershor të vitit 2010 në garën për kryeministër të vendit.
“E vërteta është se unë nuk mund të shërbej më si ministër i jashtëm nëse nuk kam mbështetjen e kryeministres Gillard. Besoj se gjëja më e mirë që mund të bëj është të dorëhiqem”, - deklaroi Rudd në konferencën e shtypit në SHBA që u transmetua direkt në Australi.
Ish-ministri i jashtëm nuk tha nëse do të rivalizonte Julia Gillard-in për lidership, por konfirmoi se do të largohet të mërkurën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të kthehej në Brisbejn të premten në mëngjes.