Ballkan

e mërkurë, 22 shkurt 2012, 10:35

Raund i ri bisedimesh Prishtinë - Beograd

Raund i ri bisedimesh Prishtinë - Beograd
Me vonesë njëditëshe, por jo me ndonjë ndryshim në axhendë, sot në orën 9 e 30 të mëngjesit, do të duhej të niste raundi i parë për këtë vit i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Shtyrja e nisjes së këtij raundi kishte ardhur si rezultat i vonesës së ardhjes së delegacionit të Kosovës në Bruksel.

Delegacioni nuk kishte mbërritur të hënën mbrëma siç pritej, por ishte nisur nga Prishtina të martën. Gjatë tërë ditës në BE thuhej se dialogu gjithsesi do të nisë të martën, duke planifikuar që ai të niste në orët e vona të pasdites. Por më vonë u mësua se ishte anuluar fluturimi i aeroplanit nga Vjena për në Bruksel me të cilin është dashur të vijë në kryeqytetin evropian delegacioni i Kosovës.

Prandaj ky raund i dialogut do të nisë me një ditë vonesë. Por gjithsesi u duket e çuditshme pse delegacioni i Kosovës nuk kishte arritur me kohë mbrëmë, pasi që data dhe koha e nisjes së takimeve ishin caktuar qysh javën e shkuar.

Delegacioni i Serbisë thuhet se me kohë ka arritur në Bruksel. Në BE pohojnë se mbetet e njëjta agjendë dhe të njëjtat pritje sa i përket dialogut.

Dy temat e vetme kësaj radhe do të jenë bashkëpunimi rajonal dhe zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e kontrolluar të kufirit (që BE dhe Serbia e quajnë menaxhim të pikëkalimeve).

Sa i përket bashkëpunimit rajonal në BE pohojnë se janë afër arritjes së marrëveshjes për mënyrën sesi do të përfaqësohej Kosova në nismat rajonale sikur edhe në takimet e BE-së me vendet e rajonit. Burimet e BE-së thanë se presin marrëveshje rreth formulës për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale, përmes së cilës do të pranohet insistimi i Serbisë për përmendjen e Rezolutës 1244, por do t’i dilet në ndihmë Kosovës për të përballuar këtë duke përmendur edhe GJND-në.

Rreth përmendjes së Deklaratës së Pavarësisë, në BE thanë se "nuk janë të sigurt, por mund të gjendet ndoshta mundësia e një formulimi që do ta përmendte tërthorazi". 

Pala kosovare kishte paralajmëruar se gjithsesi do të përmendet edhe Deklarata e Pavarësisë nga 17 Shkurti i vitit 2008, ndërsa pala serbe kishte hedhur poshtë një gjë të tillë. Në BE ndërkaq nuk kanë dashur të konfirmojnë as se do të përmendet e as që nuk do të përmendet. Nga disa burime diplomatike mësohet se një prej mundësive është që të përmendet në pjesën e fusnotës ku do të përmendej Mendimi i GJND-së.



 

SHIKO DHE DËGJO RTM

Video

LISTA E KËMBIMIT

VALUTA BLERJE МESATARE shitje
EUR 61,32 61,62 61,93
CHF 51,05 51,31 51,56
USD 48,14 48,38 48,62
E gjithë lista e valutave

RTM © 2010 - Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.

Ndalohet ribotimi i përmbajtjes pa lejen me shkrim të portalit « Mtv ». Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga « Mtv » rrezikon të ballafaqohet me ligjin.