e martë, 21 shkurt 2012, 14:37
Haliti: Shkupi, kryeqendra e Vilajetit të Kosovës
Një shkrim autorial i njërit prej figurave kyçe të PDK-së, Xhavit Haliti ka tronditur politikën dhe publikun maqedonas. Në të, Haliti që është edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, shkruan se "Flamuri i Pavarësisë së Shqipërisë në gusht të vitit 1912-të u ngrit në Shkup".
"E përmenda këtë fakt për të theksuar: Fantazmat e historisë mes fqinjëve janë përherë mbytëse. Evropa demokratike arriti të mbytë supërfantazmat franko – gjermane. Në raportet Serbi – Kosovë, mendoj se pengesat historike dhe mitologjike, në kuadër të një Evrope dhe fryme universal demokratike, janë më të kalueshme dhe të asimilueshme" - shkruan Haliti.
Më tej, ai shkruan për trajtimin e cështes shqiptare në Ballkan duke rikujtuar se Shkupi ka qenë kryeqendra e vilajetit të Kosovës.
"Çështja shqiptare është tej fokusit të vëmendjes. Kemi avantazhin që jemi në qendër dhe në skajin më perëndimor të Ballkanit, pa të cilin BE-ja nuk mund ta pretendojë njësinë (Evropa s’mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin). Kemi mundësinë t’i kontribuojmë stabilitetit (nëse vazhdojmë të sillemi si deri tash), por dihet që shqiptarët kanë në dorë, natyrshëm, detonatorët e shpërthimit të konfliktit në Ballkan. Po përmend vetëm një fakt historik: Kryeqendra e vilajetit të Kosovës ka qenë Shkupi".