e premte, 03 shkurt 2012, 15:28
Thaçi u zotua sërish për zbatimin e gjitha rezolutave të Kuvendit
Kryeministri Hashim Thaçi shprehu sërish sot në Kuvendin e Kosovës, zotimin për përmbushjen e gjitha obligimeve që dalin nga rezoluta për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë e miratuar ditë më parë nga Kuvendi i Kosovës. Thaçi tha se qëndrimi i shtetit të Kosovës është në përputhshmëri me Kushtetutën dhe dokumentin e Ahtistaarit.
Kryeministri Hashim Thaçi u zotua sërish sot në Kuvendin e Kosovës, për zbatimin e gjitha rezolutave të Kuvendit të Kosovës duke potencuar atë të fundit për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Thaçi iu kujtoi deputetëve obligimet që ka marrë vendi karshi komunitetit ndërkombëtarë. Në këtë kuadër Thaçi tha se përkushtimi i qeverisë së Kosovës është zbatimi i plotë i marrëveshjeve që kanë dalë nga bisedimet teknike midis shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit, deputeti i partisë më të madhe opozitare Lidhjes Demokratike, Sabri Hamiti tha se plani i Ahtisaarit ndonjëherë po përdoret për diskutime politike të brendshme, përderisa bëri thirrje për kujdes gjatë fazës së ndryshimeve kushtetuese që pritet të ndodhin pas miratimit të rezolutës për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Ndërkaq në fillim të seancës së Kuvendit, deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi akuzoi rëndë Qeverinë për siç tha presione dhe frikësim të cilin iu bënë të tjerëve përmes agjendave të SHIK-ut.