e shtunë, 21 korrik 2012, 13:23
Miliona njerëz e vizitojnë mjekun për shkak të hundës së mbushur dhe zbokthit
Pavarësisht paralajmërimeve, pacientet në vendet evropiane me vizitat te mjeku për shkak të cikërrimave të vogla dhe ftohjes krijojnë tollovi duke penguar kështu ofrimin e ndihmës atyre që e kanë më të nevojshme.
Pacientët me probleme shëndetësore banale sot gjithnjë e më shpesh vizitojnë mjekët, me çka shkaktojnë tollovi të mëdha dhe pengojnë ardhjen në rend të njerëzve me probleme më serioze, kanë zbuluar të dhënat e Ministrisë britanike të shëndetësisë.
Më shumë se pesë milionë njerëz kanë shkuar për t’u kontrolluar për shkak të një ftohje të zakonshme të cilën nuk e ka shoqëruar temperatura e lartë, ndërsa 40.000 njerëz kanë kërkuar nga mjeku i tyre të kontrollojë zbokthin e tyre për t’u dhënë këshillën më të mirë për ta larguar.
Vizitat tjera të panevojshme përfshijnë djegiet minimale dhe problemet e ngjashme, kanë zbuluar mjekët britanik për “Daily Mail”. Problemi i orarit të ngarkuar është i pranishëm në shumicën e vendeve evropiane, ku kujdesi shëndetësor është më lehtë i arritshëm.
Mjekët pajtohen që duhet të nxitet të menduarit racional te pacientët, sepse ata me shqetësimin dhe kujdesin e tepruar e dëmtojnë shëndetin e tyre, por edhe pengojnë punën e mjekëve. Kështu më shumë se 90 për qind e mjekëve e pranojnë që janë nën stres të madh dhe pa energji për shkak të pacientëve të shumtë që i vizitojnë, dhe veçanërisht për shkak të tyre që i mërzisin me vizitat e rregullta ose thirrjet për shkak të gjërave të parëndësishme mjekësore.